Bashkia e Kukësit vendos taksë për internetin dhe telefoninë

Lexuar 2169 here




Qarku më i varfër i vendit, Kukësi, bën gati rritjen e taksave më 2021

Teksa kriza pandemike ka goditur rëndë ekonominë e vendit si kurrë më parë në këto dy dekada, bashkia e Kukësit, qarkut më të varfër të vendit po bën gati rritjen e taksave me vitin 2021.

Paketa fiskale 2021 që është diskutuar në Këshillin Bashkiak parashikon rritjen e taksës së infrastrukturës ndaj ndërtimeve të reja nga 4 për qind që është aktualisht në 6 %.

Gjithashtu bashkia e Kukësit po bën gati vendosjen e një taksë të përkohshme të ngjashme me taksën e arsimit që ka vendosur bashkia Tiranë, mbi linjat kabllore si telefoni, energjia elektrike dhe interneti.

Sipas relacionit që shoqëron planin për rritjen e taksave baza e taksës për linjat ajrore dhe nëntokësore është gjatësia lineare për kilometër e linjave e cila vihet në shfrytëzim nga subjektet për qëllime biznesi. Taksa e re do të llogaritet si detyrim vjetor i taksapaguesit duke shumëzuar bazën e taksës (gjatësinë lineare për kilometër) me nivelin tregues të saj.

Autonomia fiskale u garanton të drejtën njësive të qeverisjes vendore të drejtën për të vendosur e mbledhur taksa. Sipas përcaktimeve ligjore bashkitë kanë të drejtë ndryshojnë deri në 30% nivelin e taksave të përcaktuara. Mirëpo taksat e përkohshme, konsiderohen nga ekspertët si antikushtetuese dhe përgjithësisht kundërshtohen nga institucionet financiare ndërkombëtare për shkak se prishin ekuilibrin fiskal.

Në të gjithë botën qeveritë në nivel qendror dhe lokal po mbështesin qytetaret dhe biznesin nëpërmjet ndihmave cash me qëllim të amortizojnë goditjen që ka dhënë pandemia.

Kukësi është qarku më i varfër në vend në kuptimin e të ardhurave për frymë dhe prosperitetit ekonomik. Ekonomia e Veriut të Shqipërisë është rritur 6 vitet e fundit mesatarisht me 2% në vit. Ky ritëm ishte sa gjysma e rritjes ekonomike që qendrës së vendit, Tiranës dhe Elbasanit, prej 4 % në vit mesatarisht në periudhën 2013-2018, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.

Të ardhurat mesatare për frymë në Rajonin e Veriut ishin 461, 826 lekë në vitin 2018, ndërsa në Rajonin e Qendrës ishin 33 për qind më të larta, me rreth 692,000 lekë për frymë në vit. Me këto diferenca Veriut të vendit i duhen edhe 15 vite rritje me ritmet aktuale prej 2 për qind për të arritur standardin e të ardhurave që Qendra e vendit ka sot.

Gjithashtu qarku i Kukësit është prekur më shumë se çdo qark tjetër nga tranzicioni demografik. Sipas anketës së madhe të emigracionit nga INSTAT, Kukësi ka normat më të larta të ikjes së popullsisë, jashtë dhe brenda vendit gjatë periudhës 2011-2019. Anketa gjeti se 8% e popullsisë së vendi kanë ndryshuar vendbanimin e mëparshëm gjatë kësaj periudhe dhe Kukësi duket se është prefektura me përqindjen më të lartë të popullsisë, që ndryshon vendbanimin brenda vendit, me 16,1% të popullsisë së përgjithshme banuese të vitit 2011. / telegraf.al/

 
.